PSE DHUNA MES BASHKËMOSHATARËVE?
A. Demonstrimi i fuqisë dhe dominimit në grup
Në grupet e adoleshentëve, të tregosh se mund ta poshtërosh dikë pa pasoja e rrit statusin tënd. Viktima bëhet një mjet për demonstrimin e forcës dhe dominimit. Viktima nuk zgjidhet rastësisht. Shpesh është ai ose ajo që është ndryshe, që nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga grupi ku bën pjesë, ose dikush që tashmë është etiketuar si "i dobët".
B. Eksitimi dhe kënaqësia nga poshtërimi i tjetrit
Dhuna krijon emocione të forta: frikë, tension, të qeshura, tronditje dhe adrenalinë. "Kjo është qesharake." "Kjo është e çmendur." Njerëzit tërhiqen natyrshëm nga ngjarjet me ngarkesë të fortë emocionale. Vuajtja e tjetrit aktivizon edhe ndjenjën e seirit, pra kureshtjen dhe argëtimin, e shpesh edhe kënaqësinë, nga vuajtja e tjetrit. Të qeshurat e të pranishmëve, komentet dhe shpërndarjet krijojnë një atmosferë në të cilën vuajtja e viktimës bëhet një formë argëtimi.
C. Përkatësia në grup
Poshtërimi dhe pjesëmarrja në të bëhen një ritual përkatësie në grupin që është dominues, "cool", dhe nga i cili të tjerët duhet të kenë frikë, por edhe të dëshirojnë të jenë pjesë e tij, sepse aty mund të bësh gjëra pa u ndëshkuar. Të rinjtë përjetojnë deindividualizim, një gjendje në të cilën individi humbet ndjenjën e përgjegjësisë personale dhe frikën nga pasojat, sepse është pjesë e një grupi.
D. Desensibilizimi
Brenda grupit, njerëzit shpesh bëjnë gjëra që nuk do t'i bënin kurrë vetëm. Dikush regjistron, një tjetër qesh, një i tretë brohoret, ndërsa i katërti e shpërndan videon. Përgjegjësia shpërndahet mes të gjithë pjesëmarrësve. Kur adoleshenti është vetëm, ai mund të ndiejë empati. Kur është pjesë e një turme ose grupi, përgjegjësia ndahet mes të gjithëve. Në vend që të mendojë: "Po lëndoj dikë", ai mendon: "Thjesht po argëtohemi."
E. Vendosja e hierarkisë në grup
Vetë poshtërimi bëhet një ritual publik përmes të cilit dhunuesit u dërgojnë një mesazh të tjerëve: ne jemi ata që vendosim kush i përket grupit dhe kush jo, si duhet të sillet dikush, kush vendos çfarë duhet të bëhet, e kështu me radhë.
PSE REGJISTRIMI DHE SHPËRNDARJA?
Në rrjetet sociale, vuajtja e tjetrit shndërrohet në përmbajtje për t'u shpërndarë. Shumë të rinj nuk i përjetojnë më ngjarjet vetëm si dëshmitarë, por edhe si një mundësi për t'u bërë bashkëpjesëmarrës. Regjistrimi u jep atyre një ndjenjë më të fortë pjesëmarrjeje. Një përleshje, një poshtërim, një shaka ose një akt dhune shihet menjëherë përmes pyetjes: "A duhet ta regjistroj këtë?"
Problemi më i madh nuk është vetëm ekzistenca e dhunës. Dhuna, sigurisht, ka ekzistuar edhe para internetit. Problemi më i madh sot është se dhuna bëhet një spektakël mediatik. Kamera nuk shërben më për ta dokumentuar ngjarjen. Ajo bëhet pjesë e vetë ngjarjes. Pa një audiencë online, shumë nga këto incidente nuk do të kishin të njëjtën tërheqje për autorët.
A. "Të gjithë duhet ta shohin këtë!"
Kur një veprim i tillë regjistrohet dhe publikohet, dhuna merr një funksion të ri. Ajo nuk është më vetëm një sulm ndaj dikujt, por një shfaqje publike e dominimit e destinuar për një audiencë shumë më të madhe. Efekti i dominimit në grup dhe demonstrimit të forcës përforcohet. Sa më e madhe dukshmëria, aq më e madhe fuqia. Videot e dhunës mes bashkëmoshatarëve shpesh lidhen me kënaqësinë e të qenit pjesë e grupit të fuqishëm, ndërsa vëzhgohet poshtërimi i dikujt që është përjashtuar prej tij.
B. Tërheqja e vëmendjes online
"Nëse njerëzit e shohin këtë, unë jam i rëndësishëm."
Nga përdorimi i rrjeteve sociale, të rinjtë mësojnë se ajo që tërheq vëmendje është e rëndësishme dhe ka më shumë vlerë. Sa më i madh të jetë poshtërimi, aq më e madhe është mundësia që videoja të tërheqë vëmendje. Në rrjetet sociale, përmbajtja tronditëse ka gjithmonë përparësi. Algoritmet nuk bëjnë dallim midis empatisë, kureshtjes apo kënaqësisë. Ato regjistrojnë numrat dhe klikimet dhe shpërblejnë atë që shkakton reagime të forta.
C. Seiri i viralizuar
Ndjenja e argëtimit dhe e seirit përforcohet. Ajo që më parë e shihnin vetëm disa njerëz në rrugë, tani e shohin mijëra ose miliona përdorues. Çdo pëlqim, shpërndarje ose koment është një pjesëmarrje shtesë në spektakël. Viktima nuk poshtërohet vetëm para bashkëmoshatarëve të saj, por para një audience masive digjitale.
D. Zgjatja e eksitimit, por edhe e traumës për viktimat
Me shpërndarjen e dhunës online, ajo nuk përfundon kur përfundon sulmi fizik. Videoja vazhdon të jetojë, duke e riprodhuar poshtërimin vazhdimisht.
Videot virale të dhunës mes bashkëmoshatarëve nuk janë vetëm rezultat i impulseve agresive të individëve. Ato janë rezultat i një kulture më të gjerë në të cilën demonstrimi i fuqisë, kënaqësia nga poshtërimi i tjetrit, seiri i viralizuar dhe ndjenja e përkatësisë në grup bashkohen në një fenomen të rrezikshëm. Sa më shumë që këto video bëhen të njohura, aq më shumë krijohet përshtypja se poshtërimi i tjetrit është një pjesë normale e kulturës digjitale.
Mënyra më e mirë për t'i parandaluar ato është të kuptohen mekanizmat e përshkruar që i shkaktojnë dhe të ndërpriten sapo të fillojnë të manifestohen. Për shembull, nëse incidente të tilla kanë pasoja serioze për autorët dhe kujdestarët e tyre, nëse thyhet pandjeshmëria ndaj viktimave, nëse videot nuk shpërndahen masivisht, e kështu me radhë, ato gradualisht do të humbasin një pjesë tërheqjes së tyre si për ushtrimin e dhunës, ashtu edhe për përhapjen masive të saj.
Dr. Sead Xhigal